Në natën kur LA Leikërs ka tërhequr zyrtarisht fanellën e Shak O’Nill, duke e futur emrin e partnerit më të famshëm të Kobi Brajant mes legjendave të skuadrës, vetë ylli aktual i kalifornianëve nuk ka marrë pjesë në ceremoni. Jo për shkak të disa mosmarrëveshjeve që ka pasur me ish-shokun e skuadrës, por për faktin se gjatë kohës kur po zhvillohej ceremonia në pushimin e ndeshjes, ai qëndroi me shokët e skuadrës duke përgatitur në perfeksion fitoren e rëndësishme 101-81 ndaj Dallas.
Brajant e mbylli ndeshjen me 23 pikë, 11 topa në tabelë dhe 11 pasime, duke qëndruar në stol vetëm për 56 sekonda gjatë ndeshjes, ndërsa luajti për të gjithë pjesën tjetër. Një ndihmë të madhe ai e mori edhe nga Duajt Hauard, autor i 24 pikëve dhe 12 topave në tabelë, duke dhuruar një paraqitje të përafërt me ato që garantonte O’Nill në lojën nën tabelë.
Ndërkohë, Nju Jork ka marrë një fitore të bujshme në fushën e Majemit me rezultatin 102-90, duke përfituar nga mungesa e LeBron Xhejms, Duejn Uejd dhe Mario Çallmers, të cilët vazhdojnë të jenë të dëmtuar dhe nuk duan të rrezikojnë kot pjesëmarrjen në playoff. Karmelo Entoni ishte protagonist në këtë sfidë, duke shënuar për herë të tretë 50 pikë në karrierën e tij, një arritje e jashtëzakonshme po të mendohet se erdhi ndaj skuadrës që është protagoniste kryesore për titull në NBA. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Çikago-Uashington 86-90
Nju Jork-Majemi 102-90
Dallas-LA Leikërs 81-101
Wednesday, 03 April 2013 11:12