LA Leikërs i janë kthyer përsëri fitoreve dhe duket se po rimarrin veten, pasi që nga momenti që shkarkuan trajnerin Majk Braun, kanë fituar 4 nga 5 ndeshjet e luajtura. Edhe në ndeshjen e mbrëmshme përballë Hjuston, trajneri i ri, Majk D’Antoni, nuk ka qenë në pankinë, pasi ka vendosur të shtyjë deri javën tjetër debutimin sepse po riaftësohet nga një operacion në gju, por skuadra e kishte drejtuesin e saj.
Në fushë ka qenë Kobi Brajant që ka kryer rolin e dirigjentit të orkestrës me një paraqitje të jashtëzakonshme. 22 pikë, 11 topa në tabelë dhe 11 pasime ishte bilanci i yllit të LA Leikërs, i cili u ndihmua nga Duajt Hauard, autor i 28 pikëve e 13 topa në tabelë.
Ndërkohë, vijojnë vuajtjet e disa prej skuadrave kryesore të Konferencës së Lindjes, me Çikagon dhe Bostonin që janë mundur në transfertë nga Detroit dhe Portland. I është kthyer përsëri fitoreve Nju Jork, që ka munduar Indiana falë 26 pikëve të Karmelo Entoni. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Indiana-Nju Jork 76-88
Orlando-Toronto 86-97
Bruklin-Sakramento 99-90
Kliveland-Filadelfia 79-86
Golden Steit-Oklahoma 109-119
Boston-Detroit 83-103
Çikago-Portland 94-102
Hjuston-LA Leikërs 108-119
Monday, 19 November 2012 09:01