LA Klipërs tashmë mund të cilësohen pa frikë skuadra “e madhe” e Los Anxhelos, pasi në këtë sezon kanë dominuar pa probleme ndaj kushërinjve më të njohur të LA Leikërs.
Ekipi që deri pak vite më parë ishte objekt talljesh në të gjithë NBA, tani është kthyer në një pretendent të mirëfilltë për titull dhe këtë e ka treguar me suksesin e dytë radhazi ndaj LA Leikërs në këtë sezon dhe me dominimin që bëri nga minuta e parë në takimin ku regjistroi suksesin 107-102.
Kris Pol realizoi 30 pikë e 13 pasime, ndërsa Bleik Grifin shtoi 24 pikë, duke u konfirmuar si një nga dyshet më të frikshme në qarkullim në NBA. Për LA Leikërs nuk mjaftuan 38 pikët e Kobi Brajant, apo 21 pikët e 15 topat në tabelë të Duajt Hauard, pasi pjesa tjetër e skuadrës nuk arriti të mbante ritmin e LA Klipërs që krijuan diferencë të thellë dhe pastaj e administruan qetësisht atë.
Një rezultat i rëndësishëm është humbja 89-96 në shtëpi e Majemit përballë Çikagos, ku miqtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në mbrojtje, me Karlos Buzer dhe Xhoakim Noah që së bashku kontribuuan me 40 pikë e 24 topa në tabelë për të ndalur furinë e LeBron Xhejms, autor i 30 pikëve në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Kliveland-Sharlot 106-104
Sakramento-Toronto 105-96
Bruklin-Uashington 115-113
Atlanta-Detroit 84-85
Portland-Memfis 86-84
Indiana-Boston 75-94
Çikago-Majemi 96-89
Filadelfia-Oklahoma 85-109
Hjuston-Miluoki 115-101
Utah-Feniks 87-80
LA Leikërs-LA Klipërs 102-107
Saturday, 05 January 2013 09:26