Një operacion në zemër, për të zgjidhur përfundimisht problemin. Antonio Kasano do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, si pasojë e shqetësimeve që pati pas ndeshjes së luajtur në Romë.
Lajmi nuk është konfirmuar ende nga klubi i Milanit apo familja e futbollistit, por shtypi italian pohon se Kasano do të kryejë një operacion me përmasa të vogla në zemër, në poliklinikën e Milanos ku qëndron i shtruar që të dielën në mbrëmje.
Diagnoza e parë ishte hemoragji cerebrale. Kasano u ndje keq në momentin kur ekipi i Milanit mbërriti në aeroportin e Malpensës pas ndeshjes me Romën.
Sulmuesi italian është vizituar në spital nga figura të sportit, artit dhe kulturës italiane, të cilët kanë shprehur mesazhe urimi për “Fant Antonion”.
Diego Armando Maradona ka shkruar një letër të hapur ku i urron Kasanos shërim të shpejtë, ndërsa është në dyshim serioz rikthimi i tij në aktivitetin sportiv.
Pas operacionit do të mësohet përfundimisht nëse Kasano do të varë këpucët në gozhdë apo do të vazhdojë të magjeps me futbollin e tij.
Galiani blindon vendin FantAntonios…
Administratori i deleguar i Milanit ka garantuar se Kasano do të kthehet sërish në fushat e lojës pas 4-6 muajsh dhe se deri atëhere vendi i tij pranë kuqezinjve do të jetë në dispozicion të talentit barez i cili në Milanelo gjeti veten, formën e tij më të mirë dhe i dha fund kapricove të tij të panumërta duke u kthyer në një figurë shembullore dhe të dashur për ata që në zemër kanë AC Milan.
Wednesday, 02 November 2011 20:43 