Sulmuesi brazilian i Milanit, Aleksandre Pato, shumë shpejt mund të ndryshojë skuadër, pasi i ka shkelur syrin indirekt PSZH-së. Në një intervistë për mediat italiane, Pato nuk ka ngurruar të shprehë pakënaqësitë e tij rreth trajnerit Alegri dhe mënyrës së si vepron ai më futbollistët, duke kujtuar me nostalgji drejtimin nga Ançeloti, trajneri i ri i ekipit parisien.
“Ançeloti vinte dhe më fliste, duke më shpjeguar atë që më vonë duhej të bëja në fushë. Edhe Alegri duhet të bëjë të njëjtën gjë për të më treguar cilat pjesë të lojës sime duhen përmirësuar. Mendoj se trajneri duhet të ndalet dhe t’i shpjegojë defektet lojtarëve. Kjo është e vetmja mënyrë që të rritesh e të përmirësohesh. Unë shkoj çdo ditë në Milanelo me këtë objektiv. E përsëris se do të ishte shumë më e thjeshtë nëse do të më shpjegoheshin cilat janë mangësitë e mia”, deklaroi “Patoku”
Sulmuesi ka mbetur i zhgënjyer edhe për faktin që nuk i kanë dhënë atij shiritin e kapitenit në ndeshjen kundër Kievos duke ia kaluar “më të riut” Tiago Silva. “Kam patur edhe trajnerë të tjerë përveç Alegrit. Nëse ai e sheh të arsyeshme të më kritikojë, nuk më mbetet asgjë tjetër veç të ul kokën dhe të vazhdoj të punoj. Megjithatë mbetet fakti që nëse sheh diçka që nuk shkon në lojën time, do të ishte më mirë që të vinte ta diskutonte drejtpërdrejt me mua. Shiriti i kapiteni për Tiago Silvën? Të them të drejtën, deri në mbërritjen në dhomat e zhveshjes para sfidës me Kievon, mendoja se te Milani vlente rregulli i vjetërsisë në skuadër për shiritin e kapitenit”, ishin fjalët e sulmuesit brazilian.
Pas kësaj deklarate, duket qartësisht se marrëdhënia mes sulmuesit dhe trajnerit të Milanit nuk ekziston dhe se së shpejti ai mund të ketë valixhet në dorë drejt një destinacioni tjetër. Fakti që te PSZH bashkë me Ançelotin është edhe ai që e zbuloi dhe e solli në Evropë, Leonardo, mund ta bëjë më të thjeshtë kalimin e tij në radhët e ekipit parisien. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 December 2011 12:40