Kairi Irving ka treguar se pse që në moshën 20 vjeçare cilësohet si një nga organizatorët më të mirë në NBA. Ylli i ri i Kliveland, me një paraqitje që të kujtonte ato të LeBron Xhejms disa vite më parë me fanellën e të njëjtit ekip, ka mundur thuajse i vetëm skuadrën e Oklahomas, në takimin e përfunduar 115-110.
Irving ishte autor i 35 pikëve në këtë sfidë, pasi shkatërroi i vetëm mbrojtjen e nënkampionëve të NBA me depërtimet e tij. Paraqitja mbresëlënëse e 3 minutave të fundit ku ai shënoi 13 pikë dhe ktheu i vetëm ndeshjen në favor të skuadrës ë tij, bëri që në fund të takimit të gjithë lojtarët e Oklahomas ta përgëzonin yllin e ri të Kliveland.
Nga humbja e Oklahomas ka përfituar San Antonio, që ka marrë një sukses të rëndësishëm 96-86 ndaj Uashington duke rrëmbyer kreun e klasifikimit në Konferencën e Perëndimit. Por suksesi i teksanëve nuk ka qenë aq i gëzueshëm për faktin se ylli i kësaj skuadre, Tim Dankan, ka ndrydhur si gjurin ë këmbës së majtë, ashtu edhe kyçin e këmbës së djathtë gjatë pjesës së parë dhe u detyrua të largohet nga fusha e lojës i mbajtur në krahë nga shokët e skuadrës. Ky është një telash më shumë për trajnerin Popoviç, duke parë se qendra ishte një nga basketbollistët më të mirë të skuadrës që në këtë sezon është përsëri pretendente për titullin kampion. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Çikago-Atlanta 93-76
Sakramento-Nju Jork 81-120
Oklahoma-Kliveland 110-115
Nju Orlins-Minesota 86-115
Sharlot-Hjuston 95-109
Uashington-San Antonio 86-96
Orlando-Miluoki 98-107
Utah-Portland 99-105
Feniks-Golden Steit 93-113
Sunday, 03 February 2013 10:00