Indiana ka arritur të sigurojë finalen e Konferencës së Lindjes në NBA, që i mungonte nga viti 2004, pasi eliminoi Nju Jorkun. Suksesi 106-99 mbylli përfundimisht në 4-2 këtë seri ku Indiana tregoi se mund të jetë shumë e aftë të mbulojë individin më të rrezikshëm të kundërshtarëve atëherë kur nevojitet.
Ndonëse Karmelo Entoni shënoi 39 pikë për Nju Jork në ndeshjen e mbrëmshme, në minutat vendimtare, atëherë kur ai nuk duhej lejuar t’i afrohej koshit, mbrojtja e Indianas funksionoi në perfeksion. Roi Hibert bllokoi një gjuajtje të Entonit në sekondat e fundit, duke i dhënë mundësinë skuadrës të shkëputej dhe të merrte këtë fitore të rëndësishme.
Indiana kërkon hakmarrje ndaj Majemit, që i eliminoi në vitin e kaluar në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes edhe pse ishte në avantazh 2-1 në atë seri. Por tashmë Indiana duket se vjen më e përgatitur, pasi në këtë sezon ka qenë skuadra e parë në numër topash në tabelë në mbrojtje dhe mbrojtjen nga gjuajtjet për 3 pikë, ndërsa ishte e dyta në NBA për nga numri i pikëve të pësuara gjatë sezonit të rregullt. Kjo do të thotë se Majemi duhet të bëhet gati për një përballje shumë të vështirë, ndaj një prej ekipeve më të kompletuara në NBA. (LajmeShqip.com)
Sunday, 19 May 2013 11:03