Indiana ka arritur të barazojë përsëri serinë ndaj Majemit, duke fituar takimin e katërt të finales së Konferencës së Lindjes me rezultatin 99-92, për të çuar bilancin në 2-2. Këtë radhë, sfiduesit e kampionëve në fuqi të NBA kanë bërë gjithçka mirë, duke evituar një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme te LeBron Xhejms dhe për më tepër duke nervozuar këtë të fundit që doli nga loja për shkak të faulleve.
Xhejms shënoi 24 pikë, 6 topa në tabelë dhe 5 pasime, por la fushën e lojës në minutën e fundit, duke mos arritur të ndihmojë skuadrën e tij pasi mori faullin e 6-të. Por Indiana bëri një lojë të mirë mbrojtëse jo vetëm ndaj Xhejms, por edhe ndaj shokëve të skuadrës, ku vetëm Mario Çallmers dhuroi shifra domethënëse në sulm me 20 pikë të shënuara.
Ndërkohë, te vendasit të gjithë titullarët kaluan kuotën e 10 pikëve, me Roi Hibert që realizoi 23 pikë e 12 topa në tabelë, duke dominuar këtë radhë në përballjen e tij me Xhejms. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 May 2013 09:51