Majemi është mundur për të dytën herë në këtë sezon në fushën e vet, këtë radhë nga skuadra e Golden Steit, e cila për momentin është në një seri pozitive prej 5 ndeshjesh. Kampionët janë mundur vetëm në sekondën e fundit të kësaj sfide, falë një koshi të të riut Dreimond Grin, i harruar çuditërisht i vetëm nga mbrojtja e rreptë e kampionëve.
Ndonëse LeBron Xhejms ishte autor i 31 pikëve dhe Kris Bosh shtoi 21 pikë e 13 topa në tabelë, Majemi nuk mundi të ndalte Golden Steit që konfirmohet si një nga skuadrat më në formë në NBA. Klei Tompson shënoi 27 pikë ndërsa Devid Li shtoi 22 pikë e 13 topa në tabelë, për të marrë këtë sukses dhe për të ngjitur ekipin e tyre në vendin e 5-të të renditjes së Konferencës së Perëndimit.
Në këtë Konferencë vazhdon të kryesojë San Antonio, ndonëse teksanët janë mundur në një ndeshje mjaft të vështirë përballë Utah. Ndonëse Tim Dankan dha një paraqitje të shkëlqyer me 22 pikë, 21 topa në tabelë e 6 bllokime, San Antonio nuk arriti të ndalë furinë e Pol Millsap (24 pikë, 12 topa në tabelë) dhe Al Xheferson (21 pikë) të cilët me lojën e tyre po mundohen të mbajnë Utah mes skuadrave që pretendojnë për të marrë pjesë në play-off në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Kliveland-Indiana 81-96
Bruklin-Toronto 94-88
Atlanta-Orlando 86-80
Golden Steit-Majemi 97-95
LA Klipërs-Sharlot 100-94
Çikago-Filadelfia 96-89
Sakramento-Miluoki 85-98
Uashington-Hjuston 93-99
Dallas-Boston 115-117
Denver-Minesota 105-108
Nju Orlins-Oklahoma 88-92
Memfis-Feniks 80-82
San Antonio-Utah 96-99
Thursday, 13 December 2012 09:37