Mediat italianë kanë zbardhur dje procesverbalin e marrjes në pyetje të Karlo Gervasonit, ish-mbrojtësit të Piaçencës, i cili është një nga protagonistë kryesorë të skandalit të trukimeve. Futbollist ka treguar me saktësi ndeshje dhe emra lojtarësh të cilët janë përfshirë në manipulime të Serisë A, Kupës së Italisë dhe Serisë B.
Ai nuk ka ngurruar të tregojë se në rastin e ndeshjes së Kupës së Italisë, Kievo-Novara 3-0 të sezonit të kaluar, lojtari i përfshirë direkt në trukim ishte mesfushori me origjinë shqiptare Rijat Shala. “Mësova nga Gegiç (futbollisti me origjinë serbe i Kiasos, lideri i “sllavëve”, që kishin për detyrë të sillnin paratë e ryshfeteve), që “sllavët” i ofruan lojtarëve të Novarës 150 mijë euro që të humbin me më shumë se 3 gola, rezultat i arritur. Sllavët u takuan me Ventolan në hotel dhe i dorëzuan një shqiptari që luante në radhët e Novarës, Shala, rreth 150 mijë euro që u shpërndanë pastaj me futbollistët e tjerë, mes të cilëve portieri Fontana. Bertani ishte ndërmjetës por nuk mori pjesë në ndeshje”, ishte tregimi i Gervasonit.
Kjo është hera e parë kur emri i një futbollisti me origjinë shqiptare përmendet drejtpërdrejt në listën e manipuluesve të ndeshjeve. Rijat Shala, futbollisti i lindur në Prizren por me pasaportë zvicerane, ka patur një karrierë me ulje-ngritje. Fillimisht ai shpërtheu në radhët e Luganos dhe falë paraqitjeve të tij arriti të luante me përfaqësuesen U-21 të Zvicrës në 26 takime. Më pas, në vitin 2006, ai u transferua te Salernitana në Itali, duke kaluar më pas te Foxhia, Kaljari, Taranto dhe Novara. Ai ishte pjesë e kësaj skuadre si në sezonin 2009-2010 në Serinë C, ashtu edhe në atë 2010-2011 në Serinë B dhe vetëm gjatë merkatos së verës ai u kthye përsëri te Lugano. Pritet që lojtari të merret në pyetje nga drejtësia italiane si person në dijeni të fakteve.
Ndërkohë Gervasoni ka treguar edhe skemën e trukimeve të Serisë A. “Ndeshja e parë e trukuar e Serisë A është Palermo-Bari e 7 majit 2011, përfunduar me rezultatin 2-1, ku rezultati për të cilin ishin dakort ishte humbja e Barit me të paktën dy gola diferencë. Këtë ma ka treguar vetë Almir Gegiç dhe unë kam vënë bast për këtë takim. Ai më tregoi se ishin korruptuar këto futbollistë të Barit: Padeli, Bentivolio, Parisi, Andrea Masielo e Rosi. Rezultati i kërkuar nuk u arrit pasi Mikoli humbi penalltinë e shkaktuar me dashje nga mbrojtja e Barit, por Mikoli nuk ishte në dijeni të marrëveshjes”
Më pas ai ka treguar se si është manipuluar Lacio-Xhenoa, e 14 majit të kaluar. “Kam mësuar po nëpërmjet Gegiç se “sllavët” u takuan me Zamperinin në ditën e ndeshjes dhe ky i fundi i vuri në kontakt me Stefano Maurin (zv/kapiteni i Lacios, 11 ndeshje me kombëtaren italiane). Sllavët u takuan edhe me Milaneton e Xhenoas, i cili më pas kontaktoi me lojtar të tjerë të skuadrës”.
Mauri ka qenë pjesë e marrëveshjes për të trukuar takimin edhe në ndeshjen Leçe-Lacio të 22 majit 2011, të përfunduar me rezultatin 2-4. “Gegiç më tregoi se nëpërmjet Zamperinit ishin vënë përsëri në kontakt me Maurin për të manipuluar ndeshjen. Më pas, ata kishin korruptuar 6-7 futbollistë të Leçes, ku emrat që më kujtohen janë vetëm Benasi e Rosati”, tregoi Gervasoni.
Më pas, ai ka bërë një listë të emrave të lojtarëve të përfshirë në trukime në të gjitha rastet ku kishte qenë vetë i përfshirë duke përmendur në total 43 lojtarë dhe 18 ndeshje ku trukimet kanë qenë të sigurta. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 December 2011 12:44