Golden Steit është surpriza më e këndshme e këtij sezoni në NBA, duke u kthyer tashmë në një skuadër të konsoliduar dhe në gjendje për t’u renditur lehtësisht mes 8 ekipeve që do të marrin pjesë në playoff në Konferencën e Perëndimit. Prova e radhës ka ardhur falë fitores 106-99 ndaj LA Klipërs.
Kalifornianët, pretendentë për titull në këtë sezon në NBA, kishin një avantazh prej 7 pikësh në fillimin e periodës së katërt. Por furia e organizatorit të Golden Steit, Stefen Karri, i cili shënoi 3 gjuajtje për tre pikë radhazi, nisi rikuperimin e kësaj skuadre që më pas përfundoi duke fituar ndeshjen. Karri është kthyer në një prej organizatorëve më të mirë në NBA me një mesatare prej 20.5 pikësh e 6.6 pasimesh për ndeshje.
Edhe LA Leikërs ka regjistruar një humbje në takimin e mbrëmshëm ndaj Çikagos, e 9-ta në 11 takimet e fundit. Majk D’Antoni nuk po arrin të gjejë një zgjidhje për problemet e kësaj skuadre, pasi nuk ka funksionuar as ulja në pankinë e Pau Gasol, duke aktivizuar Klark për të ndërtuar një formacion më të shpejtë. Rezultati ishte një prove ofensive që la për të dëshiruar në humbjen 95-83, me Gasol që ishte ndër më të mirët në fushë në 25 minutat që luajti, me 15 pikë e 12 topa në tabelë.
Ndërkohë, Bruklin ka fituar 88-85 derbin e katërt të këtij sezoni përballë Nju Jorkut, duke bërë që dy skuadrat të çojnë bilancin vjetor mes tyre në 2-2 dhe të prasin një përballje të mundshme në play-off për të përcaktuar se kush është ekipi dominues i këtij qyteti. (LajmeShqip.com)
Renditja
Indiana-Memfis 82-81
Sakramento-Nju Orlins 105-114
Minesota-Atlanta 96-104
Hjuston-Sharlot 100-94
Bruklin-Nju Jork 88-85
LA Klipërs-Golden Steit 99-106
San Antonio-Filadelfia 90-85
LA Leikërs-Çikago 83-95
Uashington-Portland 98-95
Tuesday, 22 January 2013 09:35