Skuadra e Denver, ndonëse nuk bën shumë bujë, është kthyer në një nga ekipet më në formë në NBA. Këtë e vërtetoi më së miri fitorja 111-103 ndaj Kliveland në fushën e këtyre të fundit, që çoi në 9 serinë e sukseseve radhazi për Denver, ekip që ka regjistruar 15 suksese në 17 ndeshjet e fundit që ka luajtur.
Që me largimin e dyshes Karmelo Entoni-Shonsi Billaps, Denver nuk ka një yll të mirëfilltë dhe trajneri Xhorxh Karl ka bazuar gjithçka mbi lojën e skuadrës dhe kontributin e sa më shumë lojtarëve. “Do të mundohemi të bëhemi skuadra e vetme që fiton titullin në NBA pa pasur në radhët e saj asnjë pjesëtar në “All Star Game””, ishte komenti i trajnerit, duke kujtuar se në vitet e fundit ekipi i tij nuk ka marrë asnjë ftesë për këtë eveniment.
Në takimin e fituar mbrëmë, Denver shkëlqeu falë një tjetër loje kolektive, me 9 lojtarë të ndryshëm që shënuan 10 a më shumë pikë. Ky fakt e ka bërë Denver skuadrën më të paparashikueshme në NBA në këtë sezon, pasi janë me radhë Galinari, Farid, Iguodala apo Louson që marrin përsipër fazën ofensive, duke u kthyer në një ekip të kompletuar dhe shumë të vështirë për çdo kundërshtar. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Denver-Kliveland 111-103
Sharlot-Filadelfia 76-87
Detroit-Miluoki 105-100
Golden Steit-Dallas 91-116
Utah-Sakramento 109-120
Sunday, 10 February 2013 10:16