Tentativa e Majemit për të shënuar rekordin e fitoreve radhazi në NBA është ndalur nga Çikago, që ka mposhtur kryesuesit e Konferencës së Lindjes me rezultatin 101-97, për të mbajtur në 27 serinë e fitoreve radhazi të rivalëve të tyre. Majemi ishte vënë në ndjekje të rekordit prej 33 fitoresh radhazi të LA Leikërs, por tani do të duhet të kënaqet me atë që cilësohet si seria e dytë pozitive më e mirë e të gjitha kohëve.
Çikago, edhe pse pa yllin e saj Derrik Rouz dhe qendrën Xhoakim Noah, ka arritur të dominojë përballë Majemit me një mbrojtje hermetike duke lënë shumë pak hapësira për kampionët. Fitorja e tretë radhazi për Çikagon erdhi sidomos për meritë të forcës realizuese të Luol Deng, autor i 28 pikëve e 7 topavë në tabelë, si dhe të Karlos Buzër, që shënoi 21 pikë e 17 topa në tabelë.
Nga ana tjetër, LeBron Xhejms u përpoq në të gjitha mënyrat të mbante skuadrën e tij në garë deri në sekondat e fundit, por 32 pikët e shënuara nga ai nuk mjaftuan për të regjistruar një tjetër përmbysje, siç kishte ndodhur shpesh mes këtyre 27 fitoreve radhazi për skuadrën e tij. Megjithatë, Majemi vazhdon të jetë skuadra me rekordin më të mirë të NBA në këtë sezon dhe pretendente kryesore për titullin kampion. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Atlanta-Toronto 107-88
Miluoki-Filadelfia 92-100
Boston-Kliveland 93-92
Orlando-Sharlot 108-114
Memfis-Nju Jork 101-108
Uashington-Oklahoma 80-103
LA Leikërs-Minesota 120-117
Indiana-Hjuston 100-91
LA Klipërs-Nju Orlins 105-91
Majemi-Çikago 97-101
Denver-San Antonio 99-100
Feniks-Utah 88-103
Sakramento-Golden Steit 105-98
Bruklin-Portland 111-93
Thursday, 28 March 2013 10:18