Ecuria e Majemit drejt titullit të dytë radhazi kampion në NBA është vënë në dyshim përsëri nga Çikago, skuadra e cila një muaj më parë i ndali ecurinë e 27 fitoreve radhazi në sezonin e rregullt. Kampionët në fuqi janë mundur në fushën e tyre me rezultatin 93-86, ndërsa i kanë dhuruar faktorin fushë kundërshtarëve.
Neit Robinson ishte heroi i mbrëmjes për Çikagon me 27 pikë e 9 pasime, ku ra në sy sidomos loja e tij në periodën e fundit, aty ku bëri diferencën. Për të kuptuar se çfarë loje bëri Çikago, mjafton të shohësh statistikat e 2 minutave të fundit, në të cilat miqtë shënuan 10 pikë përballë 0 të kampionëve në fuqi. Edhe LeBron Xhejms nuk dukej në formën e zakonshme, ndërsa mbylli ndeshjen me 24 pikë, 8 topa në tabelë e 7 pasime.
Në Konferencën e Perëndimit, takimi i parë mes San Antonio dhe Golden Steit është mbyllur me fitoren e teksanëve me rezultatin 129-127 pas dy kohëve shtesë falë një gjuajtje për tre pikë të Manu Xhinobili kur kishte mbetur 1 sekondë deri në fundin e ndeshjes. Argjentinasi mbylli mbrëmjen me 16 pikë e 11 pasime, ndërsa një paraqitje po aq të mirë bënë edhe dy “veteranët” e tjerë, Toni Parker (28 pikë, 8 topa në tabelë, 8 pasime) dhe Tim Dankan (19 pikë, 11 topa në tabelë). Në radhët e Golden Steit shkëlqeu i zakonshmi Stefën Karri, me 44 pikë e 11 pasime. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Lindjes
Çikago-Majemi 93-86 (1-0)
Konferenca e Perëndimit
Golden Steit-San Antonio 127-129 (0-1)
Tuesday, 07 May 2013 10:32