Majemi kishte filluar të shqetësohej duke parë se kishte humbur dy ndeshje radhazi dhe në total 5 nga 8 ndeshjet e fundit. Por kthesa e kampionëve të NBA ka ardhur me fitoren 128-99 në fushën e Sakramento, ku ata kanë dhënë paraqitjen më të mirë ofensive të sezonit.
Në këtë sukses të skuadrës, protagonisti kryesor ka qenë Mario Çalmers, organizatori i cili ka shënuar 34 pikë në këtë sfidë. Ndonëse në skuadër është realizuesi më i mirë i gjuajtjeve për 3 pikë në historinë e NBA, Rei Alen, Çalmers ka treguar se edhe ai nuk mbetet prapa, duke realizuar 10 tentativa, për të barazuar rekordin e klubit që mbahej nga Brajan Shou.
Një rezultat i papritur ka qenë humbja me rezultatin 101-104 në shtëpi e LA Klipërs përballë Orlandos, pasi kalifornianët i dorëzuan kryesimin e Konferencës së Perëndimit skuadrës së Oklahomas. Bleik Grifin shënoi 30 pikë, 8 topa në tabelë dhe 7 pasime, por LA Klipërs u dorëzuan në periodën e fundit. Fakti që Orlando kryesoi për herë të parë ndeshjen kur mbeteshin vetëm 42 sekonda nga fundi i takimit, tregon më së miri se si erdhi humbja e parë në shtëpi për kalifornianët pas 13 suksesesh radhazi. Arron Aflalo ishte protagonisti i ekipit mik me 30 pikët e shënuara në këtë sfidë, përfshirë ato të sekondave të fundit të ndeshjes, që i dhanë suksesin skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Orlando-LA Klipërs 104-101
Sharlot-Indiana 88-96
Atlanta-Uashington 83-93
Hjuston-Filadelfia 100-107
Utah-Detroit 90-87
Feniks-Çikago 97-81
Memfis-Dallas 83-104
Majemi-Sakramento 128-99
Sunday, 13 January 2013 10:25