Skandali i trukimeve të rezultateve po merr përmasa edhe më të mëdha për shkak të detajeve që po zbulohen rreth emrave të njohur të futbollit italian. Këtë radhë, në skenë kanë dalë emrat e tre futbollistëve mëse të njohur të kombëtares italiane, Kampionë Bote në vitin 2006, Xhanluixhi Bufon, Ivan Xhenaro Gatuzo dhe Fabio Kanavaro.
Në një përgjim telefonik që i është bërë të arrestuarit Nikola Santoni, ish-përgatitësi i portierëve të Ravenës, në shtatorin e këtij viti, ai i shpjegon bashkëbiseduesit etapat e hetimit dhe tregon sesi hetuesit mbyllin sytë për emrat e njohur dhe merren vetëm me futbollistët që nuk janë në elitë.
“Bufon luan 100-200 mijë euro në muaj. Ai, Gatuzo dhe Kanavaro janë tamam të sëmurë! Por ata arritën të luanin Botërorin dhe ta fitonin prandaj…”, shprehej Santon në këtë telefonatë, duke aluduar për hetimin e hapur që në vitin 2006, kur disa futbollistë italianë u akuzuan se vinin baste për ndeshjet e skuadrave të tyre. Në atë periudhë, emri i Bufon ishte mes të hetuarve por gjithçka u la në harresë pasi portieri i Juventusit u shpall Kampion Bote me Italinë. Bufon është aktualisht përfaqësues imazhi për një faqe të njohur interneti të lojës së pokerit.
Ndërkohë, bëhet e ditur se tre ndeshjet e trukuara në sezonin e kaluar të serisë A, sipas ish-futbollistit Gervasoni, janë Palermo-Bari 2-1, Lacio-Xhenova 4-2 dhe Leçe-Lacio 2-4. Ekipi i Lacios, i përmendur në dy nga këto ndeshje, ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se nuk ka asnjë dijeni rreth kësaj çështje dhe pritet të zbulohet më shumë nga kjo histori. Ndërkohë, komplikohet situata e Atalantës pasi në telefonatat e përgjuara të Santonit, ky i fundit shprehet se drejtuesit e Atalantës nuk mund ta linin në baltë Kristiano Donin, pasi gjithçka e kishin bërë së bashku. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 December 2011 10:38