LA Leikërs nuk i janë gëzuar dot fitores 118-116 ndaj Golden Steit, pasi kanë parë shanset e tyre për një ecuri të mirë në playoff t’u shkrumbohen para syve pas dëmtimit të rëndë në minutat e fundit të sfidës së Kobi Brajant.
Ndonëse ylli i mbrëmjes ishte Stefen Karri i Golden Steit me 47 pikë të shënuara, Brajant po jepte një tjetër paraqitje brilante me 34 pikë, duke mbajtur skuadrën mbi shpatulla. Por në minutat e fundit, pas një përplasje me Klej Tomson, ai ra në tokë dhe dëmtoi tendinin e Akilit në thembër, duke u larguar nga fusha dhe duke çaluar edhe pse më parë bëri sakrificën e fundit për ekipin duke realizuar dy gjuajtje të lira mes dhimbjeve.
Vetë lojtari, në intervistat pas ndeshjes, ka pranuar se dëmtimi është serioz dhe nuk bëhet fjalë për të marrë pjesë më në ndeshje në këtë sezon. “Nëse dëmtimi është i shkallës së fundit, mund të rri jashtë për një vit”, ishte pohimi i hidhur i Brajant që sot do t’i nënshtrohet vizitave të hollësishme në atë që cilësohet dëmtimi më i rëndë i karrierës së tij sportive. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Bruklin-Indiana 117-109
Çikago-Toronto 88-97
Filadelfia-Uashington 97-86
Miluoki-Atlanta 104-109
Boston-Majemi 101-109
Sharlot-Detroit 93-113
Nju Jork-Kliveland 101-91
Memfis-Hjuston 82-78
LA Klipërs-Nju Orlins 96-93
Denver-Dallas 105-108
Sakramento-San Antonio 101-108
Minesota-Utah 100-107
Oklahoma-Portland 106-90
Golden Steit-LA Leikërs 116-118
Çiftet e mundshme në playoff:
KONFERENCA E PERËNDIMIT
Oklahoma-LA Leikërs
San Antonio-Hjuston
Denver-Golden Steit
LA Klipërs-Memfis
KONFERENCA E LINDJES
Majemi-Miluoki
Nju Jork-Boston
Indiana-Çikago
Bruklin-Atlanta
Saturday, 13 April 2013 10:10