Sfida mes Boston dhe LA Leikërs mbetet një nga klasiket më të mëdha të NBA, pavarësisht pozicioneve që mbajnë dy skuadrat që kanë shkruar historinë e këtij turneu. Këtë radhë, Boston ka dalë me kokën lart nga kjo ndeshje, falë suksesit 116-95 përballë kalifornianëve, duke marrë suksesin e 6-të radhazi në kampionat që nga momenti kur ylli i kësaj skuadre, Razhan Rondo u dëmtua dhe u mësua se do të mungojë për të gjithë sezonin.
Pol Pirs shënoi 24 pikë, 7 topa në tabelë e 6 pasime, por më domethënëse është statistika e Kevin Garnet, i cili ndonëse shënoi vetëm 15 pikë, u bë lojtari i 16-të në historinë e NBA që kalon kuotën e 25 mijë pikëve.
Nga ana tjetër, forma jo e mirë e Hauard dhe dëmtimi i Gasol bënë që Brajant të kthehej në rolin e tij të pikëshënuesit, por 27 pikët e tij nuk u shoqëruan nga paraqitja e mirë e skuadrës, pasi shënuesi i dytë më i mirë ishte Xhodi Meks me 13 pikë.
Në sfidën tjetër të natës, Denver ka masakruar Çikagon me rezultatin 128-96, në një ndeshje ku Keneth Farid dhe XhaVali MekGi treguan aftësitë e tyre me zhytje spektakolare, duke i siguruar skuadrës suksesin e 8-të radhazi, të 15-tin në 18 ndeshjet e luajtura që me 1 janar të këtij viti. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 February 2013 09:49