Boston ka mundur Majemin në supersfidën e Konferencës së Lindjes së luajtur mbrëmë por ekipi legjendar nuk ka pasur kohë të festojë, pasi ka mësuar menjëherë pas ndeshjes se ka humbur shërbimet e yllit të tij, Razhan Rondo, të paktën deri në fund të këtij sezoni. Rondo ndjeu dhimbje në gjurin e këmbës së tij gjatë ditës së djeshme dhe pas kontrolleve u mësua se kishte pësuar këputje të ligamenteve dhe duhej operuar, gjë që do ta mbajë atë larg fushave të lojës për 6-8 muaj.
Drejtuesit e Boston nuk kishin njoftuar ende ekipin për rezultatet e vizitës mjekësore të Rondo dhe skuadra është shfaqur shumë e motivuar në fushë përballë kampionëve në fuqi të NBA, ndonëse iu deshën dy kohë shtesë për të fituar në këtë ndeshje. Kevin Garnet ishte i jashtëzakonshëm në këtë sfidë me 24 pikë e 11 topa në tabelë, ndërsa u mundua të kufizonte disi shpërthimet ofensive të LeBron Xhejms, i cili gjithsesi realizoi një ndeshje të madhe me 34 pikë, 16 topa në tabelë e 7 pasime.
Menjëherë pas ndeshjes, pasi u mësua për dëmtimin e rëndë të Rondo, askush nga Boston nuk festoi këtë fitore, ndërsa edhe rivalët e tyre, duke filluar pikërisht nga Xhejms, i ngushëlluan për dëmtimin e lojtarit më të mirë, që praktikisht ka shuar çdo shans që kishte kjo skuadër për titull në këtë sezon.
Ndërkohë, në supersfidën e Konferencës së Perëndimit, LA Leikërs kanë arritur një rezultat të shkëlqyer duke mundur Oklahoman me shifrat 105-96. Kobi Brajant duket se ka marrë përsipër detyrën e organizatorit, duke parë se kjo është mënyra e vetme që edhe shokët e tij të skuadrës të gjejnë koshin. Falë këtij ndryshimi në pozicion ai regjistroi 21 pikë, 14 pasime dhe 9 topa në tabelë, ndërsa ishin 5 lojtarë të tjerë të LA Leikërs që shënuan 10 a më shumë pikë. Në radhët e Oklahomas shkëlqeu i zakonshmi Kevin Durant me 35 pikë të shënuara, ndërsa Rasëll Uestbruk zhvilloi një ndeshje më të balancuar me 17 pikë, 9 topa në tabelë dhe 13 pasime. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Majemi-Boston 98-100
Oklahoma-LA Leikërs 96-105
Detroit-Orlando 104-102
Nju Orlins-Memfis 91-83
Atlanta-Nju Jork 104-106
Feniks-Dallas 95-110
Portland-LA Klipërs 83-96
Monday, 28 January 2013 10:11