Razhan Rondo vazhdon rrugën e tij drejt një rekordi personal të jashtëzakonshëm, duke ndihmuar njëkohësisht edhe Boston të fitonte ndaj Çikago në atë që cilësohet si ndeshja më klasike e Konferencës së Lindjes në NBA.
Ylli i Boston regjistroi 20 pikë, 10 pasime dhe 9 topa në tabelë, duke çuar në 31 numrin e ndeshjeve radhazi në të cilat ai ka arritur të realizojë të paktën 10 pasime për kosh. Rekordi aktual është ai i legjendarit Xhon Stokton, që ka regjistruar 37 ndeshje radhazi me 10 apo më shumë pasime në vitin 1989. Në suksesin 101-95 në fushën e Çikago, pasimet e Rondo bënë që pjesa tjetër e skuadrës të arrinte një përqindje të lartë realizimi, 50.6%, ndërsa Boston realizoi të 16 gjuajtjet e lira të tentuara në këtë sfidë. Nga ana tjetër nuk mjaftuan 26 pikë e 11 topa në tabelë të Luol Deng e 17 pikë me 11 topa në tabelë të Xhoakim Noah për t’i dhënë suksesin ekipit vendas që i lëshoi pozicionin e 6-të Boston në renditjen e Konferencës.
Një tjetër takim interesant ka qenë ai i Majemit në fushën e Hjuston, ku LeBron Xhejms ka vendosur diktatin e tij për të ndihmuar kampionët në fuqi të fitojnë me rezultatin 113-110. Xhejms realizoi 38 pikë (32 nga të cilat në pjesën e dytë), 10 topa në tabelë e 6 pasime, në ndeshjen e tij të 149-të radhazi ku arrin të shënojë 10 a më shumë pikë, duke barazuar rekordin e skuadrës që mbahet nga Duejn Uejd. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Utah-Toronto 140-133
Miluoki-Filadelfia 105-96
Oklahoma-Detroit 92-90
Boston-Çikago 101-95
Majemi-Hjuston 113-110
Minesota-Dallas 90-82
Denver-Feniks 100-110
Atlanta-Portland 95-87
Tuesday, 13 November 2012 09:01