Ndeshja mes Boston dhe Çikagos, zakonisht një klasike e Konferencës së Lindjes, këtë radhë ka qenë një duel mjaft i shëmtuar, i përfunduar me rezultatin 71-69 për Boston. Shkak bëhet fakti se që nga sot, dy skuadrat kanë rreth një javë pushime për shkak të “All Star Game”.
Por jo të gjithë lojtarët e kanë pasur mendjen te pushimet, siç e konfirmon fakti që Kevin Garnet ka refuzuar dëshirën e trajnerit Dok Rivers për të qëndruar pushim edhe në këtë ndeshje. Qendra e Boston luajti 26 minuta dhe arriti të shënonte 12 pikë e 11 topa në tabelë në këtë sfidë, ku pikëshënuesi më i mirë nga të dy skuadrat ishte Brendon Bas i Boston me 14 pikë. “Ndeshjet në këtë periudhë janë të çuditshme. Ke lojtarë të lodhur, të dëmtuar apo prej atyre që e kanë mendjen që tani te plazhi që i pret në Republikën Dominikane”, ishte komenti i Rivers.
Në ndeshjet e tjera të natës, bie në sy fitorja e LA Klipërs ndaj Hjuston me rezultatin 106-96, ku domethënës është fakti që më në fund, trajneri Vini Del Negro ka arritur të hedhë në fushë të gjithë titullarët, që kanë lënë pas dëmtimet e tyre. Karon Batler shënoi 19 pikë (17 në periodën e parë), Bleik Grifin regjistroi 20 pikë e 11 topa në tabelë, Çonsi Billaps shënoi 19 pikë, Xhamal Krouford shënoi 13 pikë dhe Kris Pol regjistroi 10 pikë e 11 pasime. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Sharlot-Indiana 77-101
San Antonio-Kliveland 96-95
Atlanta-Orlando 108-76
Toronto-Nju Jork 92-88
Denver-Bruklin 108-119
Uashington-Detroit 85-96
Çikago-Boston 69-71
Portland-Nju Orlins 63-99
Filadelfia-Miluoki 92-94
Utah-Minesota 97-93
Sakramento-Dallas 100-123
Hjuston-LA Klipërs 96-106
Thursday, 14 February 2013 09:35