Trajneri i PSZH, Karlo Ançeloti, ka bërë të qartë se skuadra e tij duhet të shfrytëzojë çdo mundësi që i shfaqet në kundërsulm nëse dëshiron të marrë një rezultat pozitiv ndaj Barcelonës, pasi nuk do të ketë shumë shanse të shohë zotërimin e topit përballë katalanasve.
“Ne mund të mos kemi zotërimin e topit, por sapo ta prekim atë, dua që skuadra ime të tregojë karakter dhe të shkojë para me qëllimin për të shënuar. Ne kemi mbrojtur shumë mirë në këtë sezon dhe jemi paraqitur mirë në kundërsulm. Kjo është ajo që duam të bëjmë edhe në këtë sfidë, pasi na duhet një sjellje e tillë për të siguruar një rezultat pozitiv”, shpjegoi trajneri italian.
Ançeloti tregoi gjithashtu se loja e skuadrës së tij nuk do të bazohej mbi një mënyrë për të ndalur Lionel Mesin, pavarësisht fakti se ky i fundit cilësohet lojtari më i mirë në qarkullim për momentin.
“Ne do të përqendrohemi në lojën tonë dhe jo te kundërshtarë të veçantë. Rreshtimi taktik nuk ndryshon në bazë të një lojtari të veçantë. Ju mund të bëni edhe pyetjen si do veprojë Barcelona për të ndalur Ibrahimoviç. Do të jetë e vështirë edhe për ata”, siguroi trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 April 2013 10:30