Në prag të ndeshjes kundër Republikës Çeke në ditën e parë të Euro 2012, trajneri i Rusisë, Dik Advokat, nuk është fshehur duke e cilësuar skuadrën e tij si një “pretendente të fshehur” dhe duke paralajmëruar kundërshtarët për rrezikshmërinë e futbollistëve të tij.
“Ne kemi një skuadër të mirë, kemi cilësi dhe është shumë e rëndësishme që lojtarët tanë të fillojnë të besojnë në vetvete. Nëse do të kemi formën e duhur dhe gjërat të shkojnë ashtu siç pritet, ne kemi një skuadër shumë të rrezikshme për të gjithë”, tha ai në konferencën e fundit për shtyp.
“Spanja, Holanda dhe Gjermania kanë ekipet dhe lojtarët më të mirë. Por në një turne të tillë, gjithçka mund të ndodhë, ashtu siç fitoi Greqia në vitin 2004”, paralajmëroi trajneri holandez.
Ndërkohë, rivali i tij Mikal Bilek, ka shprehur entuziazëm për faktin se pret që stadiumi të jetë i mbushur me tifozë të Republikës Çeke.
“Jemi me fat që jemi kaq pranë kufirit me Çekinë. Pres një mbështetje të madhe ndaj shpresojmë që t’u dhurojmë tifozëve tanë diçka të cilës mund t’i gëzohen. Nuk jemi skuadra më e dobët në grup dhe e them që tani që objektivi ynë është të jemi mes 8 skuadrave më të mira të këtij turneu”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 June 2012 21:07