Xherdan Shaqiri, kosovari që është lojtar i skuadrës zvicerane Basel, aktivizohet edhe për kombëtaren e Zvicrës. Shaqiri ishte me kombëtaren edhe në ndeshjen e fundit që Zvicra e zhvilloi kundër krerëve të Grupit G, Anglisë, dhe mori një barazim të rëndësishëm 2-2.
Falë formës së mirë që ka arritur ta mbajë në vazhdimësi, Xherdan Shaqiri shkëlqei edhe në ketë sfidë, madje shtyri UEFA-në që të bëjë edhe një videoinçizim me përmbledhje rreth tij.
Emri, mbiemri: Xherdan Shaqiri
Club: FC Basel 1893
Debutim: 12/07/09 v FC St Gallen (Zvicër ,Super League)
Pozicioni: Mesfushor ofansiv
Kombësia: Shqiptar
Shtetësia: Zviceran
Data e lindjes: 10/10/1991
Që nga debutimi i tij si 17 vjeçar, në sezonin 2009/10, Xherdan Shaqiri ka bërë përparime, duke e stabilizuar pozitën e tij në klub dhe në kombëtare. I lindur në Gjilan, Shaqiri e filloi karrierën e tij në ekipin e të rinjve të Baselit, duke e bërë ëndrrën realitet, duke fituar dy trofe, titullin e Kampionit dhe Kupën e Zvicrës, në vitin e parë si futbollist profesionist.
{youtube}j1rrPJc65a0{/youtube}
Shaqiri fillimisht ka luajtur me përfaqësuesen e Zvicrës U19, në sezonin 2009/10, ku e përfundoi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, me pjesëmarrje në Botërorin e Afrikës së Jugut 2010. Shaqiri doli në pah edhe më shumë me golin spektakular, të realizuar nga një distancë rreth 30 metra ndaj Anglisë, në shtator 2010, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.
Me shkathtësitë e tij, ai është një pasuri e madhe dhe mund të luajë në disa pozicione, pa asnjë problem, ka aftësi për driblim, është i fuqishëm, ka goditje të fortë e, çka është më kryesore, ai ka impresionuar edhe nga krahët në rol sulmues dhe mbrojtës. Shaqiri konsiderohet si njëri prej talentëve më të mëdhenj në qarkullim në futbollin evropian.
Përparime në lojë:
Basel FC 1893 6-0 FC Lausanne-Sport
09/05/10 (Finalja e Kupës së Zvicrës)
“Kjo është e gjitha një ëndërr, të jem i sinqertë, gjithçka po shkon shumë shpejt, por, për fat të mirë e kam familjen, e cila më ndihmon që të qëndroj me këmbët në tokë. Psikologjikisht jam i fortë dhe kurrë nuk bëhem nervoz kur vrapoj. Kur jam në fushë, dëshiroj ta dribloj çdokënd përreth meje. Ky është qëndrimi që unë dua të shfaqë në lojë”, ka thënë Shaqiri.
Opinionet e ekspertëve rreth Xherdan Shaqirit
“Ai jeton për argëtim në fushë dhe në qoftë se nuk ka kënaqësi, atëherë gjërat bëhen të vështira për të. Ai është një futbollist i vërtetë i rrugës”, tha Thorsten Fink, trajner i Baselit.
“Është kënaqësi për ta parë atë se si luan, sepse ai kullon pasion për futbollin, ai tashmë është një lojtar shumë kompetent, teknikisht shumë i mirë, por edhe shumë i fortë fizikisht”, ka thënë Peter Knabel, drejtor teknik i Shoqatës Zvicerane të Futbollit dhe ish-kreu i të rinjve në Basel.
“Xherdan Shaqiri është një talent i shquar. Kjo është arsyeja pse unë e kam lejuar atë të jetë i përfshirë me ekipin kombëtar. Ai është i fuqishëm dhe i patrembur”, tha Ottmar Hitzfeld, trajner i Zvicrës.
“Ështe pak t’i thuash fenomen. Për moshën e tij ai e ka tashmë një rrugë të gjatë, një hap më shumë se shumica e lojtarëve, ai është i pacipë, ka një të shtënë të mirë dhe është një driblues fantastik”, ka thënë Marco Streller, sulmues i Baselit.
Manchester United, Liverpool, Juventus e Aston Villa – pas Xherdan Shaqirit
Tinejxheri sensacional shqiptar, Xherdan Shaqiri, besohet të jetë shndërruar në një prej synimeve kryesore të Sir Alex Fergusonit, pasi që skocezi është fascinuar nga paraqitja e tij në fanelën e Zvicrës, në barazimin 2-2 ndaj Anglisë.
“Caughtoffside” shkruan se 19-vjeçari pritet të largohet gjatë verës nga Baseli dhe një prej destinacioneve të mundshme është Manchester United, ku Shaqiri shihet si zëvendësues i Ryan Giggs.
Për të shmangur interesimin e Liverpoolit, Juventusit, Aston Villas dhe skuadrave të shumta nga Bundesliga, United është i gatshëm t’i ofrojë Baselit 10 milionë funte.
Pos tjerash, Manchester United mendon që të ofrojë edhe anësorin francez Gabriel Obertan në ofertën për Shaqirin, i cili mund ta shohë veten shumë lehtë në Old Trafford, në sezonin e ardhshëm.
Thursday, 09 June 2011 13:27 