Xhezon Kid ka vendosur të mos shkëputet nga basketbolli, pasi tani nuk do të jetë më një lojtar, por një trajner. Ish-organizatori është kthyer te “dashuria e vjetër”, skuadra e Nets, të cilën do ta drejtojë që nga fillimi i sezonit të ardhshëm.
Lëvizja e Bruklin Nets për të nënshkruar një kontratë me Kid erdhi si surprizë, pasi paraardhësi i tij, Brajan Shou, kishte bërë një punë relativisht të mirë. Prezantimi i trajnerit të ri do të bëhet gjatë kësaj jave dhe ai do të fillojë në moshën 40 vjeçare në këtë karrierë të re.
“Emërimit si trajner i Bruklin Nets është një mundësi e mirë të cilën e kam ndjekur që në periudhën kur isha lojtar. Shpresoj të ndërtoj një ekip kampion”, ishte deklarata e parë e Kid që në maj vendosi të largohet nga fusha si lojtar, për t’u kthyer pak muaj më vonë si trajner.
Ish-organizatori kaloi 19 sezone në NBA, me një karrierë të suksesshme në skuadra si Dallas, Feniks, Nju Xhersi e së fundmi Nju Jork. Ai është i dyti në renditjen historike të pasime në NBA me 12091 të tilla dhe vjedhje me 2684 të tilla, i kaluar vetëm nga Xhon Stokton (respektivisht 15806 asiste e 3265 vjedhje). Kid është i vetmi lojtar që ka mbyllur karrierën me të paktën 15000 pikë, 10000 pasime e 7000 topa në tabelë. Ka fituar vetëm një titull kampion në vitin 2011 me Dallas, ndërsa ka marrë pjesë në 10 “All Star Game”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 June 2013 11:57