Indiana ka arritur të vërë në një pozicion mjaft të vështirë Majemin, duke barazuar në 3-3 serinë dhe duke çuar finalen e Konferencës së Lindjes në NBA në ndeshjen e 7-të. Skuadra e Frenk Vogel triumfoi 91-77, duke treguar se nuk ishin të kota pretendimet e tyre para fillimit të kësaj serie për një surprizë të mundshme ndaj ekipit që dominoi në këtë sezon kampionatin amerikan të basketbollit.
Pol Xhorxh me 28 pikë dhe Roi Hibert me 24 pikë, këtë radhë ishin të pandalshëm edhe në mbrojtje, duke ndihmuar skuadrën që të dominonte në lojën në tabelë me një avantazh të ndjeshëm 44-22. Kjo bëri që Majemi të mbante një përqindje të ulët realizimi, vetëm 36.1%, në ndeshjen ku barazuan rekordin negativ për pikë të shënuar në këtë sezon. Ironikisht, edhe në rastin e mëparshëm kur kishin shënuar vetëm 77 pikë në këtë sezon, kampionët në fuqi të Majemit u mundën pikërisht nga Indiana gjatë sezonit të rregullt.
Nga ekipi i Floridas mund të shpëtohet vetëm LeBron Xhejms, që regjistroi 29 pikë, 7 topa në tabelë e 6 pasime. Por duket qartë se ai ka nevojë për ndihmën e shokëve të tij për të kaluar në finalen e madhe të NBA, pasi kontributi i Uejd e Bosh deri tani ka qenë thuajse inekzistent. (LajmeShqip.com)
Sunday, 02 June 2013 12:17