San Antonio është kthyer përsëri në finalen e NBA, që i mungonte nga viti 2007, i fundit kur teksanët siguruar edhe titullin kampion. Të udhëhequr nga Toni Parker në një formë të jashtëzakonshme, teksanët dominuan ndeshjen e katërt radhazi me rezultatin 93-86 ndaj Memfis, duke siguruar titullin e Konferencës së Perëndimit dhe duke pritur me qetësi rivalin e finales së madhe që do të dalë nga çifti Majemi-Indiana.
Parker ishte dominues në lojën e tij, duke realizuar 37 pikë dhe duke qenë padyshim forca kryesore e ofensivës së ekipit teksan. Kuptohet që ai mori një ndihmë të madhe nga i zakonshmi Tim Dankan, i cili realizoi 15 pikë e 8 topa në tabelë, por sidomos ishte protagonist i lojës mbrojtëse për skuadrën e tij, duke kontrolluar lojtarët shtatlartë të Memfis.
Pikërisht mbrojtja e Dankan ka bërë që për ndeshjen e katërt radhazi, Memfis të mos arrinte të tregonte forcën e sulmit, ndonëse ka një ndër qendrat më të mira të NBA, Mark Gasol. Spanjolli këtë radhë u kufizua me 14 pikë, duke mos u bërë përsëri faktor në fazën ofensive, pikërisht ajo që i mungoi Memfis në këtë pjesëmarrjen në playoff që gjithsesi mbetet më e mira në historinë e klubit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 28 May 2013 10:08