Indiana ka bërë surprizën në finalen e Konferencës së Lindjes në NBA pasi ka barazuar 1-1 serinë ndaj Majemit, duke i vjedhur kampionëve të NBA faktorin fushë. Ashtu si një vit më parë, Indiana ka fituar takimin e dytë në fushën kundërshtare ndaj Majemit, duke përfituar nga gabimet e yllit të skuadrës së Floridas, LeBron Xhejms.
Ishin pikërisht dy pasime të gabuara në minutën e fundit nga LeBron Xhejms, i ndaluar nga David Uest, që i dhanë mundësinë Indianas të fitonte sfidën me rezultatin 97-93. Në fakt, Xhejms kishte qenë i shkëlqyer deri në atë moment të sfidës, duke shënuar 36 pikë e 8 topa në tabelë, por me sa duket dështoi falë peshës së përgjegjësisë që mbante mbi shpatulla në këtë ndeshje.
Në radhët e Indianas, lojtari më i rëndësishëm në fazën ofensive ishte Roi Hibert, i cili dominoi me 29 pikë e 10 topa në tabelë, duke vërtetuar atë që flitej që pas ndeshjes së parë se mungesa e tij në fushë në minutat e fundit i kishte kushtuar humbjen skuadrës së Indianas edhe në atë sfidë.
Tashmë Majemi është e detyruar të shkojë të fitojë një ndeshje në fushën kundërshtare, për të mos rrezikuar t’i japë fund që në finalen e Konferencës ëndrrës për të fituar titullin e dytë kampion radhazi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 08:44