Nëse ndokush dëshironte një provë se LeBron Xhejms është ylli më i shndritshëm i këtij brezi të NBA, ajo ka ardhur në ndeshjen e parë të finaleve të Konferencës së Lindjes mes Majemit dhe Indianas.
Ylli i skuadrës së Floridas shënoi 30 pikë, 10 topa në tabelë dhe 10 asist në këtë ndeshje që përfundoi 103-102 në favorin e ekipit të tij me një kohë shtesë pasi Indiana i bëri rezistencë mjaft mirë kampionëve në fuqi të NBA, edhe pse në fakt këta të fundit dukeshin pak të “ndryshkur” pasi kishin mbyllur prej rreth një jave serinë e tyre gjysmëfinale dhe kishin qëndruar larg fushës së lojës për këtë periudhë kohore.
Por ndeshja mund të kishte marrë një rrjedhë tjetër po të mos ishte për vendimin e çuditshëm të trajnerit të Indianas, Frenk Vogel, i cili duke qenë në avantazhin e një pike, në aksionin e fundit të ndeshjes në kohën shtesë, vendosi të linte në stol qendrën e tij, Roi Hibert, duke i lehtësuar punën Xhejms i cili depërtoi pa vështirësi drejt koshit, për të shënuar pikët që i dhanë fitoren skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 23 May 2013 10:48