San Antonio ka treguar se eksperienca mund të bëjë një diferencë të madhe kur bëhet fjalë për të luftuar për titullin kampion në NBA. Teksanët mundën Memfis me rezultatin e thellë 105-83 në ndeshjen e parë të serisë së finales së Konferencës së Perëndimit, duke treguar se janë mëse të vendosur të shkojnë në finalen e madhe për të synuar titullin kampion.
Toni Parker shënoi 20 pikë e 9 pasime, ndërsa Kauhi Leonard shtoi 18 pikë, për të ndihmuar San Antonion të krijonte një shkëputje aq të thellë, sa të dy trajnerët në 5 minutat e fundit aktivizuan vetëm lojtarët rezervë pasi diferenca ishte e parikuperueshme.
Për Memfis, debutues në finalen e Konferencës së Perëndimit, kjo në fakt nuk është ndonjë çudi, pasi në këtë sezon, ka humbur ndeshjen e parë në çdo seri të playoff, pasi u gjend në disavantazh 0-2 ndaj LA Klipërs në raundin e parë dhe 0-1 ndaj Oklahomas në raundin e dytë. (LajmeShqip.com)
Monday, 20 May 2013 10:05