Majemi ka siguruar për të tretin vit radhazi pjesëmarrjen në finalen e Konferencës, pasi eliminoi mbrëmë Çikagon duke mbyllur serinë në 4-1 pas suksesit 94-91. Por fituesit në fuqi të NBA nuk e kanë pasur shumë të lehtë të marrin këtë trofe, pasi përballë kishin një skuadër që i luftoi deri në sekondat e fundit të sfidës edhe pse në radhët e saj mungonin shumë emra të rëndësishëm për shkak dëmtimesh.
LeBron Xhejms shënoi 23 pikë, 7 topa në tabelë dhe 8 pasime, por për Majemin, lojtari më i rëndësishëm i kësaj sfide ishte Duejn Uejd, i cili edhe pse i dëmtuar ishte protagonist absolut në periodën e fundit ku skuadra e Floridës bëri diferencën. Për Çikagon nuk mjaftoi as ndeshja e shkëlqyer e Karlos Buzër me 26 pikë e 14 topa në tabelë për të ndalur kampionët e NBA dhe për të rihapur serinë.
Memfis ka shkruar historinë në Konferencën e Perëndimit, duke siguruar për herë të parë në historinë e klubit pjesëmarrjen në finalen e Konferencës pasi eliminoi pretendentët e Oklahomas. Për këta të fundit ka rezultuar vendimtare humbja e e Rasëll Uestbruk për shkak dëmtimi dhe kjo u pa qartë në disfatën e fundit 88-84 në fushën e tyre. Kevin Durant kaloi një natë të tmerrshme, pasi realizoi vetëm 5 nga 21 gjuajtjet e tij, por nuk ishte asnjë lojtar tjetër në radhët e kësaj skuadre që mund të merrte mbi shpatulla peshën e lojës ofensive, siç bën zakonisht Uestbruk kur Durant nuk është në një ditë të mirë. Ndaj Memfis përfitoi dhe falë një loje të shkëlqyer të Zak Randolf, që shënoi 28 pikë e 14 topa në tabelë, i drejtohet një finale të Konferencës që pakkush e mendonte të mundur duke parë shortin që i vuri radhazi para LA Klipërs dhe Oklahoma. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Lindjes
Çikago-Majemi 91-94 (1-4)
Konferenca e Perëndimit
Memfis-Oklahoma 88-84 (4-1)
Thursday, 16 May 2013 10:11