Memfis duket se i ka vënë objektiv vetes që të shkojë në finalen e Konferencës së Perëndimit, pasi ka kuptuar se në një mënyrë apo një tjetër mund të kontrollojë Oklahoman dhe të vërë në vështirësi skuadrën që dominoi Konferencën gjatë sezonit të rregullt.
Ndonëse suksesi 87-81 nuk ishte i ngjashëm me atë të siguruar në fushën kundërshtare tre ditë më parë, Memfis ka arritur dominojë përsëri në minutat e fundit, duke shfrytëzuar maksimalisht çdo mundësi që i jepej nga mbrojtja e kundërshtarëve. Mark Gasol realizoi 20 pikë e 9 topa në tabelë, duke qenë lojtari më i mirë në radhët e skuadrës së tij në këtë sfidë, edhe pse vuajti në saktësinë e gjuajtjeve, pasi realizoi vetëm 6 nga 14 të tilla. Ndërkohë, Kevin Durant vazhdon të jetë shpresa e vetme e Oklahomas për një përmbysje, pasi ylli i kësaj skuadre realizoi 25 pikë e 11 topa në tabelë, por po tregon qartësisht se pa praninë e Rasëll Uestbruk në fushë, nuk gjen më hapësirat e mëparshme.
Në Konferencën e Lindjes, Indiana ka çuar në 2-1 rezultatin e serisë ndaj Nju Jork, pas suksesit 82-71 në një ndeshje të luajtur kryesisht në mbrojtje. Roi Hibert me 24 pikë e 12 topa në tabelë si dhe Pol Xhorxh me 14 pikë, 8 topa në tabelë e 8 asist ishin protagonistë për vendasit që shpresojnë të kenë një tjetër shans për t’u përballur me Majemin në finalen e Konferencës së Lindjes. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Perëndimit
Oklahoma-Memfis 81-87 (1-2)
Konferenca e Lindjes
Nju Jork-Indiana 71-82 (1-2)
Sunday, 12 May 2013 10:07