Ashtu siç ishte parashikuar, Majemi ka arritur të rimarrë avantazhin e fushës duke mundur Çikagon në transfertë me rezultatin 104-94, për të kthyer serinë në favorin e vet me rezultatin 2-1. Kampionët në fuqi kishin humbur takimin e parë në fushën e tyre, duke bërë që të lindnin dyshime rreth formës që po kalojnë. Por dy fitoret radhazi ndaj Çikagos kanë shuar çdo dyshim, duke parë sidomos se si ata iu përshtatën lojës së ashpër fizike që po zhvillonin kundërshtarët.
Në fakt, suksesi në sfidën e tretë ishte rrjedhojë e forcës që treguan kampionët e Majemit, të cilët nuk u tërhoqën përballë asnjë dueli. Heroi i ndeshjes këtë radhë ishte Kris Bosh, që shënoi 20 pikë e 19 topa në tabelë në këtë sfidë, ndërsa meritë ka edhe Norris Kol, që shënoi 18 pikë si zëvendësues, përfshirë një gjuajtje për 3 pikë në minutat e fundit që fshiu çdo shpresë të Çikagos për përmbysjen e rezultatit. Nga ana tjetër, të 5 titullarët e Çikagos shënuan më shumë se 15 pikë, por thuajse nuk kishin kontribut nga stoli, ku për trajnerin Tibodo kanë mbetur vetëm 3 lojtarë pas dëmtimeve të lojtarëve kyç si Deng, Hinriç e Rouz.
Edhe San Antonio ka arritur të rivendosë kontrollin në serinë ndaj Golden Steit falë suksesit 102-92 në fushën e këtyre të fundit. Meritë të jashtëzakonshme ka treshja e veteranëve të ekipit teksan, me Toni Parker që shënoi 32 pikë, Tim Dankan që shtoi 23 pikë e 10 topa në tabelë, si dhe Manu Xhinobili që shënoi 12 pikë duke qenë vendimtar në minutat e fundit të sfidës, kur Golden Steit u mundua të realizonte një përmbysje. Tani seria kryesohet 2-1 nga San Antonio, që duket se më në fund ka gjetur mënyrën se si të ndalë furinë e Stefen Karri, i cili i masakroi në dy sfidat e para, por që në këtë ndeshje shënoi vetëm 16 pikë. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Lindjes
Majemi-Çikago 104-94 (2-1)
Konferenca e Perëndimit
San Antonio-Golden Steit 102-92 (2-1)
Saturday, 11 May 2013 09:15