Majemi është hakmarrë ndaj Çikagos që i mundi në ndeshjen e parë të serisë në shtëpi duke treguar një provë të mirëfilltë force ndaj kundërshtarëve të tyre në takimin e dytë, të fituar me rezultatin 115-78. Ky ishte suksesi më i thellë i historisë së tyre në playoff dhe njëkohësisht humbja më e thellë e historisë së Çikago.
Kampionët për më tepër treguan një lojë të mirëfilltë skuadre, me 6 lojtarë të ndryshëm që shënuan 11 apo më shumë pikë, me një saktësi të pabesueshme në 60% të gjuajtjeve. Ndërkohë, duhet theksuar se kjo sfidë që çoi serinë në barazimin 1-1, ishte ndër më të tensionuarat mes dy skuadrave, pasi u dhanë plot 9 faulle teknikë, me dy lojtarë të Çikagos që u përjashtuan nga loja.
Një surprizë e mirëfilltë ka qenë fitorja e Golden Steit në fushën e San Antonios me rezultatin 100-91. Klei Tompson shënoi 34 pikë e 14 topa në tabelë për skuadrën e tij, që nuk fitonte në fushën e San Antonios që nga viti 1997, në një seri prej 30 humbjesh radhazi. Nëse në ndeshjen e parë vendasit arritën të përmbysnin gjithçka në minutat e fundit dhe fituan ndeshjen pas dy kohëve shtesë, këtë radhë ata nuk arritën të përsëritnin mrekullinë, të ndalur nga loja e shpejtë e Golden Steit që duket se ka gjetur mënyrën se si të lodhë veteranët e ekipit teksan. Tani Popoviç duhet të gjejë një strategji si të marrë një fitore në fushën kundërshtare, përndryshe do të humbë përsëri mundësinë për të luftuar për titull në këtë sezon, sepse Golden Steit ka treguar se aktualisht është më në formë se skuadra që në dekadën e fundit ka dominuar në Konferencën e Perëndimit. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Lindjes
Çikago-Majemi 78-115 (1-1)
Konferenca e Perëndimit
Golden Steit-San Antonio 100-91 (1-1)
Thursday, 09 May 2013 09:18