Çikago ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes në NBA pasi ka mundur në 7 ndeshje ekipin e Bruklin, edhe pse këta të fundit kishin avantazhin e fushës në këtë duel.
Një paraqitje e jashtëzakonshme e Xhoakim Noah me 24 pikë e 14 topa në tabelë, si dhe një lojë e shkëlqyer ofensive e Marko Belinelit me 24 pikë, bëri që Çikago të fitonte ndeshjen e fundit në fushën kundërshtare me rezultatin 99-93, duke siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes.
Aty do të ndeshen me kampionët në fuqi të Majemit, padyshim skuadra më e fortë edhe në këtë sezon, duke pasur në përbërje yllin më të ndritshëm të NBA, LeBron Xhejms. Ky i fundit pritet që të hënën, para fillimit ndeshjes së parë mes skuadrave, të marrë çmimin e MVP të sezonit, i katërti në 5 vitet e fundit, duke treguar se që tani është një legjendë e këtij sporti. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF / GJYSMËFINALET
Konferenca e Lindjes
Majemi (1)-Çikago (5)
Nju Jork (2)-Indiana (3)
Konferenca e Perëndimit
Oklahoma (1)-Memfis (5)
San Antonio (2)-Golden Steit (6)
Sunday, 05 May 2013 11:21