Memfis ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit në NBA pasi ka mbyllur me rezultatin 4-2 serinë kundër LA Klipërs. Kalifornianët dukeshin në një pozicion të favorshëm pas dy ndeshjeve të para të serisë, të fituara me lehtësi, por më pas Memfis realizoi përmbysjen e madhe duke regjistruar 4 fitore radhazi.
Në ndeshjen e mbrëmshme, të fituar me rezultatin 118-105, shkëlqyen Zak Randolf dhe Majk Konli, të cilët shënuan nga 23 pikë për skuadrën e tyre. Ndërsa në radhët e kalifornianëve, lojtari më i mirë në fushë ishte Met Barns me 30 pikë e 10 topa në tabelë. Për skuadrën e Vini Del Negros, tani kanë filluar dyshimet mbi probleme në programimin e sezonit, pasi ashtu si një vit më parë, LA Klipërs vijën në playoff shumë të lodhur për të bërë diferencën, pavarësisht cilësive të jashtëzakonshme që kanë në dispozicion.
Në gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit, Memfis do të ndeshet me Oklahoman, duke u munduar të eliminojë pretendentët për titull, ashtu siç bëri dy sezone më parë.
Në Konferencën e Lindjes, sot do të zbulohet enigma e fundit, në përballjen e 7-të mes Bruklin dhe Çikago, me fituesin që do të vihet kundër Majemit. Gjysmëfinalja tjetër do të jetë mes Nju Jork dhe Indiana, dy skuadrat që fituan 4-2 seritë e tyre të raundit të parë, pas fitoreve të mbrëmshme përkatësisht ndaj Boston e Atlanta. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Lindjes
Nju Jork-Boston 88-80 (4-2)
Indiana-Atlanta 81-73 (4-2)
Konferenca e Perëndimit
Oklahoma-Hjuston 103-94 (4-2)
LA Klipërs-Memfis 105-118 (2-4)
Saturday, 04 May 2013 10:56