Eksperienca e veteranëve të Boston ka bërë diferencën në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Nju Jork, ku kanë arritur të fitojnë në pallatin e sportit “MSG” me rezultatin 92-86, për të treguar se seria mes tyre dhe Nju Jorkut nuk ka përfunduar. Njujorkezët kryesojnë 3-2 serinë, por tashmë duket se nuk janë më ajo skuadra perfekte në mbrojtje dhe duhet të përgatiten për betejë në takimin që zhvillohet pas dy ditësh në fushën e Boston.
Kevin Garnet ishte i pandalshëm në këtë sfidë, duke shënuar 16 pikë, 18 topa në tabelë e 5 pasime, i mbështetur nga Xhezon Terri që shënoi 17 pikë edhe pse luajti zëvendësues. Mungesa e Razhan Rondo ka bërë që Pol Pirs të kthehet në një organizator të mirëfilltë për Boston, një lëvizje që ka rezultuar ajo e duhura. Ndërkohë, Nju Jork ka humbur forcën e saj ofensive, pasi Karmelo Entoni ka humbur saktësinë në gjuajtjet e tij, siç e tregon fakti se në takimin e mbrëmshëm realizoi vetëm 8 nga 24 tentativat e tij, duke regjistruar 22 pikë.
Një tjetër ndeshje e hapur plotësisht është ajo mes Oklahoma e Hjuston, pasi këta të fundit kanë arritur të fitojnë 107-100 në fushën e kundërshtare për të çuar serinë në 3-2 dhe për të pasur mundësinë e një tjetër takimi në fushën e tyre ku mund të barazojnë gjithçka. Protagonisti kryesor i sfidës ishte Xhejms Harden që shënoi 31 pikë, mes të cilave 7 gjuajtje për 3 pikë, për të kthyer plotësisht këtë ndeshje. Kevin Durant u mundua të bënte maksimumin me 36 pikë, 7 topa në tabelë dhe 7 pasime, por ishte i vetëm në fazën ofensive, pasi ka filluar të ndjejë mungesën e Rasëll Uestbruk të dëmtuar. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Lindjes
Boston-Nju Jork 92-86 (2-3)
Atlanta-Indiana 83-106 (2-3)
Konferenca e Perëndimit
Hjuston-Oklahoma 107-100 (2-3)
Thursday, 02 May 2013 10:19