Majemi ka treguar përsëri se është një skuadër e kompletuar edhe në stolin e rezervave në rrugën e saj drejt titullit të dytë kampion radhazi, pasi ka arritur që pa titullarët të fitojë kundër Uashington me rezultatin 103-98 për të vendosur rekordin e ri të klubit me 62 fitore në një sezon.
LeBron Xhejms, Duejn Uejd, Kris Bosh dhe Udonis Haslem kanë qëndruar të gjithë pushim për këtë sfidë, duke i lënë vendin “zgjedhjeve të dyta”, të cilat arritën që njëkohësisht të realizonin ndeshjen me më shumë tentativa për 3 pikë, duke gjuajtur 41 të tilla, por duke realizuar vetëm 17. Realizuesi më i mirë në këtë ndeshje ishte Rei Alen me 23 pikë të shënuara. Në radhët e Uashington shkëlqeu i zakonshmi Xhon Uoll, me 17 pikë, 9 topa në tabelë e 11 pasime, ndërsa tregoi edhe një herë se është transformuar në një nga organizatorët më të mirë të NBA.
Paraqitja më mbresëlënëse gjatë natës së mbrëmshme ka qenë ajo e Kobi Brajant, i cili ka realizuar 47 pikë në fitoren 113-106 të LA Leikërs përballë Portland. Ylli i kalifornianëve pati një ndihmë të madhe edhe nga shokët e skuadrës, me Pau Gasol që përfundoi takimin me 23 pikë, 7 topa në tabelë e 9 pasime, ndërsa Duajt Hauard shtoi 20 pikë e 10 topa në tabelë. Për Portland vazhdon të shkëlqejë debutuesi Damian Lilard, i cili realizoi 38 pikë në sfidën përballë skuadrës së një prej idhujve të tij. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Atlanta-Filadelfia 124-101
Majemi-Uashington 103-98
Detroit-Kliveland 111-104
Miluoki-Orlando 103-113
Bruklin-Boston 101-93
Feniks-Dallas 102-91
LA Leikërs-Portland 113-106
Nju Orlins-Sakramento 110-121
Minesota-LA Klipërs 95-111
San Antonio-Denver 86-96
Thursday, 11 April 2013 10:16