Trajneri i Gallatasarajit, Fatih Terim, ka pranuar se besonte për disa momente se skuadra e tij mund të realizonte përmbysjen e madhe dhe të kualifikohej në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve duke mundur Real Madrid me 4 gola diferencë.
“Kur rezultati shkoi 3-1 unë fillova të mendoj se mund të kalonim në gjysmëfinale. Deri në ato momente as që më shkonte ndër mend. Pas golit që iu anulua Drogba ishte momenti i vërtetë kur ne filluam të gjithë ta besonim një gjë të tillë”, shpjegoi trajneri turk pas ndeshjes.
“Këta ishin tifozë të pabesueshëm dhe kjo ishte një atmosferë e pabesueshme gjithashtu. Më gëzon fakti se kemi luajtur me kaq shumë pasion dhe u dhamë njerëzve kaq shumë kënaqësi. Më duhet të falënderoj Murinjon dhe Real Madrid, ai erdhi në dhomat e zhveshjeve tona pas ndeshjes për të përgëzuar lojtarët tanë”.
“Këta lojtarë duhet t’i përgëzoj edhe unë, pasi kanë mundur një nga skuadrat më të forta në botë. Që nga fillimi, qëllimi im ishte të ndërtoja një Gallatasaraj që të nderonte tifozët. E shoh që një gjë e tillë ka ndodhur dhe jam i lumtur që kam mbajtur premtimin tim”, ishte deklarata krenare e Terim pas përfundimit të takimit ku tifozët festuan me skuadrën sikur të ishte kualifikuar në gjysmëfinale. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 10 April 2013 12:39