Kualifikimi për herë të shtatë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, duke barazuar rekordin e Aleks Ferguson, nuk ka qenë i lehtë për Zhoze Murinjon, i cili ka parë se si pasioni i tifozerisë mund të jetë një armë më shumë për çdo skuadër. Trajneri portugez ka pranuar se ka mbetur i mahnitur nga mbështetja e tifozerisë turke në ndeshjen që Reali i tij ka luajtur në Stamboll përballë Gallatasarajit vendas.
“Nuk mendova nëse rrezikonim kualifikimin pasi nuk kisha kohë as të nervozohesha. Unë nuk kam kohë të ndjej nervozizëm kur gjendem në pankinë gjatë një ndeshje. E dija që Gallatasaraj ishte një skuadër e fortë. Ata nuk luajtën me 11 lojtarë në këtë ndeshje, ata luajtëm me 50 mijë tifozë të pabesueshëm. Kjo ishte një ndeshje e vështirë për ne dhe ata e merituan fitoren në këtë sfidë”.
“Në këtë lloj ndeshje, ne mund të humbnim gjithçka dhe të fitonim asgjë. Tani na pret një gjysmëfinale ndaj një ekipi të madh, nuk e dimë ende ndaj kujt, por ajo do të jetë një sfidë e shkëlqyer. E dimë që do të jetë e vështirë por tani është koha t’i gëzohemi arritjes dhe të mos shfaqemi nervozë”, tha Murinjo, i cili ka lëshuar edhe një batutë rreth të ardhmes së tij.
“Në fund të sezonit, do të flas me atë që më takon të flas, që para se të jetë president është miku im. Do të ulemi dhe do të diskutojmë qetësisht, ashtu siç bëjnë dy miq”, deklaroi portugezi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 10 April 2013 13:46