Zhoze Murinjo ka vendosur që këtë sezon ta mbyllë me Diego Lopez në portë, edhe pse Iker Kasijas ka lënë pas dëmtimin dhe është kthyer normalisht në stërvitje. Këtë fakt ai e ka konfirmuar indirekt pas ndeshjes kundër Gallatasarajit në Ligën e Kampioneve, duke lënë të kuptohet se ka besim të plotë te portieri që afroi gjatë janarit pikërisht për të zëvendësuar kapitenin e dëmtuar.
“Diego Lopez ka luajtur shumë mirë 13 ndeshje në 70 ditë, Iker asnjë. Nuk ka dyshime se kush është më në formë”, tha trajneri portugez pas kësaj ndeshje.
Elozhet më të mëdha për sfidën ndaj Gallatasarajit ai i rezervoi ndaj repartit të mbrojtjes dhe mënyrës se si skuadra ishte kthyer mbrapa kur ishte e nevojshme.
“Mendoj se kemi mbrojtur më mirë sesa kemi sulmuar. Në sulm ne humbnim topin në pasimin e fundit. Ishim shpesh në ofensiva 3 kundër 3 apo 4 kundër 3, ndaj duhej të kishim shënuar më shumë gola. Por mendoj se nga pikëpamja e mbrojtjes, ne analizuam mirë situatën dhe ekipi luajti shumë mirë”, shpjegoi Murinjo.
“Ne luajtëm me seriozitet. Shtypi spanjoll nuk ka treguar respekt ndaj Gallatasarajit, por ne po. Ne e dimë se ata janë një skuadër e madhe me sulmues të mirë që janë të rrezikshëm në çdo sulm dhe jemi përgatitur mirë nga pikëpamja mbrojtëse. Tani e dimë që po të shënojmë një gol në Stamboll, atyre u duhet të shënojnë 5 dhe me këtë mentalitet do të luajmë ndeshjen e kthimit”, tha portugezi, i cili në fund mbylli përkohësisht zërat për një transferim te Interi.
“Nuk kthehem te Interi vitin e ardhshëm. Një ditë dua të kthehem por jo menjëherë, këtë e thotë zemra ime. E njëjta gjë është edhe për kthimin në Angli, por me siguri që klubi im i ardhshëm nuk është Interi”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 April 2013 09:36