Kristiano Ronaldo ka shpëtuar për të disatën herë Real Madrid, duke kualifikuar skuadrën në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve falë golave të tij. Por lojtari ka pasur kritika në adresë të skuadrës e cila u shfaq nën nivel dhe rrezikoi seriozisht t’i jepte lamtumirën turneut po të mos ishte për yllin portugez.
“Jam shumë i lumtur për kualifikimin, por duhet ta dimë që në futboll nuk duhet t’i dhurohet asgjë kundërshtarit. Shpresoj që kjo ndeshje të na shërbejë si shembull për të ardhmen”, ishin fjalët e futbollistit pas përfundimit të takimit.
Lojtari u largua nga fusha e lojës duke çaluar për shkak të një goditje të marrë, por insistoi se gjithçka ishte e kalueshme dhe se në këto momente po kalon një formë të shkëlqyer.
“Jam në gjendje të mirë dhe ndjehem i motivuar. Edhe ekipi është shumë mirë, më kanë dhënë pasime të mira dhe unë mundohem vetëm të bëj punën time që është të shënoj sa më shumë gola”, deklaroi portugezi, i cili në këtë sezon ka shënuar në momentet më të vështira për skuadrën e tij duke zgjidhur çdo situatë për madrilenët. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 10 April 2013 12:41