Trajneri i Gallatasarajit, Fatih Terim, nuk e sheh si të mbyllur sfidën mes ekipit të tij dhe Real Madrid në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ndonëse kampionët e Turqisë u mundën 3-0 në Madrid në ndeshjen e parë, Terim pret një betejë të ndezur në Stamboll dhe ka premtuar se skuadra e tij do të bëjë gjithçka ka në dorë për të tentuar mrekullinë.
“Gjithçka është e mundur në futboll, por kur luan kundër Real Madrid, gjërat nuk janë aq të thjeshta. Gallatasaraj do të provojë gjithçka. Unë jam i bindur për ambiciet dhe entuziazmin e lojtarëve të mi. Ne kemi përgatitur veten për çdo lloj rezultati”, u shpreh ai para gazetarëve.
“Real Madrid është një prej skuadrave më të mira në botë. Ne deshëm të luanim futboll përballë Real Madrid dhe e bëmë një gjë të tillë. Mendoj se do të zhvillojmë një ndeshje argëtuese përballë tifozëve tanë. Rezultati nuk do të jetë i rëndësishëm. Objektivat tanë nuk ndryshojnë kurrë, pasi nëse Gallatasaraj vendos një objektiv, do të mundohet ta përmbushë atë”, deklaroi trajneri turk.
Skuadrës turke do t’i mungojë në këtë sfidë sulmuesi Burak Jilmaz për shkak pezullimi. Lojtari ka qenë në një formë të shkëlqyer në këtë edicion të Ligës së Kampioneve duke shënuar 8 gola. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 10:04