Didier Drogba ka zbuluar në një intervistë të dhënë për UEFA-n se si Gallatasaraj është një klub me shumë ambicie, që i ka vënë objektiv vetes të fitojë Ligën e Kampioneve në një të ardhme të afërt. Kjo është arsyeja që ka shtyrë sulmuesin të pranojë ofertën turke, duke pasur parasysh se mund të tentojë të fitojë përsëri këtë turne, ashtu si një vit më parë me Çelsin.
“Unë kam një marrëdhënie të veçantë me Ligën e Kampioneve, pasi ishte një trofe që mu desh ta prisja shumë për ta prekur. Për 9 sezone radhazi e kam ndjekur këtë trofe dhe kur arrita ta fitoja ishte kulmi i karrierës time. Ndaj është një kënaqësi e madhe të kthehem përsëri në këtë turne dhe të dëgjoj himnin e tij në fillim të çdo ndeshje”, tha 35 vjeçari.
“Te Gallatasaraj jam shumë i lumtur. Kam gjetur një klub që është ambicioz, me një projekt të shkëlqyer. Në një të ardhme ata duan të fitojnë Ligën e Kampioneve dhe kjo është një zgjedhje e shkëlqyer për mua”.
“Klubi ka bërë emër në arenën ndërkombëtare, ka fituar Kupën UEFA dhe tani aspirojnë për diçka edhe më të mirë. Mendoj se kjo është pjesë e fatit në jetën time futbollistike, pasi desha të përjetoja edhe një herë pasionin e futbollit në këto nivel”, deklaroi sulmuesi që ka detyrën e vështirë të udhëheqë skuadrën e tij në përmbysjen 3-0 të humbjes së parë përballë Real Madrid nëse ëndërron të shkojë në gjysmëfinalet e turneut në këtë edicion. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 April 2013 19:14