Rafael Varane është kthyer brenda pak kohësh në një nga shtyllat e Real Madrid, me paraqitjet e jashtëzakonshme që po dhuron në qendër të mbrojtjes edhe në ndeshje shumë të rëndësishme. Elozhet për të kanë ardhur edhe nga kundërshtarët, ku këtë radhë ka qenë Didier Drogba i cili ka folur mjaft mirë për mbrojtësin francez, i cili e ndali shpesh në ndeshjen e Ligës së Kampioneve të së mërkurës.
“Nuk më besohet që Varane është vetëm 19 vjeç, ai është një nga mbrojtësit më të mirë që kam pasur përballë si kundërshtarë në karrierën time”, janë fjalët e sulmuesit të njohur që ka luajtur kundër të gjithë mbrojtësve më të mirë të 10 viteve të fundit në futbollin evropian.
Paraqitjet e shkëlqyera të Varane kanë bërë që Murinjo të harrojë një prej lojtarëve të preferuar të tij, portugezin Pepe, i cili ka përfunduar në stolin e rezervave dhe vështirë se do të kthehet mes titullarëve deri në fundin e sezonit, nëse trajneri i qëndron idesë se francezi formon një dyshe perfekte në qendër me Serxho Ramos. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 April 2013 11:40