Oklahoma është tani vetëm një ndeshje pas San Antonios në garën për të siguruar vendin e parë në Konferencën e Perëndimit në NBA, pasi ka mundur teksanët në takimin direkt me rezultatin 100-88.
Rasëll Uestbruk shënoi 27 pikë, 7 topa në tabelë dhe 7 pasime, ndërsa Kevin Durant shtoi 25 pikë e 9 topa në tabelë. Por heroi për Oklahoman ishte veterani Derek Fisher, i cili realizoi 5 gjuajtje për 3 pikë, duke mbyllur natën me 17 pikë në total. Në radhët e San Antonios, Kauhi Leonard shënoi 24 pikë e 14 topa në tabelë, ndërsa Tim Dankan shënoi 24 pikë e 11 topa në tabelë. Megjithatë, te teksanët duket se nuk ishte në formë të mirë organizatori Toni Parker, që shënoi vetëm 2 pikë në këtë sfidë. Tani San Antonio regjistron 56 fitore e 20 humbje, përballë 55 fitoreve e 20 humbjeve të Oklahomas, por nëse dy skuadrat mbarojnë sezonin me bilanc të barabartë, vendin e parë në Konferencë e merr Oklahoma, për shkak të bilancit më të mirë me skuadrat e Perëndimit.
Denver thuajse i ka dhënë fund shpresave të Dallas për të arritur playoff, pasi kampionët e dy sezoneve më parë janë mundur jashtë fushë me rezultatin 95-94 dhe tashmë kanë tre humbje më shumë se LA Leikërs që mbajnë vendin e 8-të në Konferencën e Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Çikago-Bruklin 92-90
Dallas-Denver 94-95
San Antonio-Oklahoma 88-100
Friday, 05 April 2013 11:30