Trajneri i Gallatasarajit, Fatih Terim, ka kritikuar paraqitjen e gjyqtarit Svein Odvar Moen gjatë çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve ku ekipi turk u mund nga Real Madrid me rezultatin 3-0, duke pretenduar se norvegjezi u frikësua nga emri klubit spanjoll. Sipas Terim, ishin dy penallti që duheshin dhënë në favor të skuadrës së tij, e para kur Khedira preku topin me dorë në zonë në pjesën e parë të ndeshjes, dhe e dyta në pjesën e dytë kur Serxho Ramos kreu faull ndaj Burak Jilmaz.
“Gjyqtari ishte i trembur nga emri i Real Madrid. Ai nuk është një gjyqtar për nivele të tilla. Nëse nuk e sheh një penallti për prekje të topit me dorë, atëherë ai nuk duhet të jetë këtu. Të gjithë thanë penallti, por vetëm gjyqtari nuk tha asgjë. Real Madridi është favorit për të fituar këtë turne dhe gjërat nuk ecën për ne. Çfarë mund të bënim më shumë?”, ishte komenti pas ndeshjes i trajnerit turk.
“A na mundi gjyqtari? Jo, por ai vërshëlleu në disa pjesë shumë interesante të lojës. Unë nuk i kam parë nga afër pretendimet për penallti, por të gjithë thonë se ato ishin penallti që duheshin dhënë. Real Madrid nuk ka nevojë për gjyqtarë, por kur këta të fundit nuk shohin se çfarë ndodh, atëherë nuk ke ku përfundon. Ai mori edhe shumë vendime të tjera të gabuara”, deklaroi trajneri turk rreth kësaj teme.
“Golat që mund të kishim shënuar në pjesën e parë mund të kishin ndryshuar gjithçka. Ne do të punojmë shumë në ndeshjen e kthimit, por Madrid është në një pozicion më të favorshëm për të ecur para. Mua nuk më pëlqen të flas për gjyqtarët, nuk flas kurrë për ta. Por gjyqtari këtë radhë ishte i tmerrshëm”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 April 2013 10:00