Presidenti i Paris Sent Zhërmen, sheiku Naser Al-Khelaifi i ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen në drejtimin e skuadrës duke bërë të qartë në një intervistë të dhënë për “L’Equipe” se parisienët nuk do të ndërronin trajner as në sezonin e ardhshëm, pavarësisht zërave që flasin për një akord me Zhoze Murinjon.
“Ançeloti do të qëndrojë te PSZH. Nuk e kuptoj se si mund të dyshohet rreth të ardhmes së tij. Ai ka një kontratë deri në vitin 2014 me ne dhe nëse përfundon kampionatin mes tre vendeve të para, atëherë qëndrimi i tij është i sigurt 100%”, shpjegoi sheiku i Katarit.
“Ekziston ajo që thonë gazetat dhe janë faktet. Këto të fundit thonë se ka kontratë me ne edhe për një sezon. Kemi 7 pikë diferencë ndaj Olimpik Marsejës në kampionat, jemi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe në Kupën e Francës. Kjo do të thotë se është bërë një punë e mirë”.
“Bekam? Do të dëshironim të qëndronte me ne edhe në sezonin e ardhshëm. Ai është fantastik, në fushë dhe jashtë saj, ndaj do të flasim me të për rinovimin. Shpesh bëhen zgjedhje të gabuara por firma me Bekam ka qenë një nga vendimet tona më të mira. Ai është i jashtëzakonshëm si njeri dhe si lojtar. Ai krijon diçka brenda grupit ndaj të gjithë e duan”, tha Al-Khelaifi.
Në fund një koment edhe për takimin e nesërm përballë Barcelonës në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.
“Sigurisht që jemi realistë, do të përballemi me skuadrën më të fortë në botë. Më besoni, lojtarët do të japin 200% në fushë pasi ajo që do të luajnë është më shumë se një ndeshje futbolli. Është një sfidë jashtëzakonisht e madhe”. (LajmeShqip.com)
Monday, 01 April 2013 19:54