Antonio Konte ka lëshuar një paralajmërim të qartë ndaj Bajern Mynih, duke shpjeguar se Juventusi i tij do të kërkojë kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, ndonëse bavarezët janë favoritë të padiskutueshëm të sfidës.
“Nuk kemi ardhur rastësisht në këtë pikë të turneut, e meritojmë. Nuk jemi kurbani i radhës për sakrificë, do të luajmë futbollin tonë. Në këtë mënyrë duam edhe të kuptojmë se sa larg jemi ndaj klubeve të mëdha për të luajtur dhe për të pasur pretendime në Evropë”, tha trajneri i Juventusit në konferencën për shtyp të fundit para takimit të nesërm.
“Ne dhe Bajerni kemi studiuar hollësisht njëri-tjetrin, është e pashmangshme që do të mundohemi të gjejmë defekte në këtë skuadër shumë të fortë. Do të mundohemi t’i godasim dhe të mos goditemi. Do të jetë një ndeshje e luftuar, një test i vërtetë për të kuptuar se ku kemi mbërritur”, tha ai duke pranuar se Bajern është favorite, jo vetëm për të fituar këtë sfidë, por edhe për suksesin përfundimtar në këtë turne.
“Janë favoritë për finalen, bashkë me Barcelonën dhe Real Madrid. 20 pikët diferencë që kanë në kampionat me Borusia Dortmund janë prova e forcës së tyre. Janë një skuadër që sulmon dhe që pëlqen të shënojë gola”, përfundoi tekniku i bardhezinjve. (LajmeShqip.com)
Monday, 01 April 2013 19:52