Zlatan Ibrahimoviç do të luajë që në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës pasi UEFA ka pranuar apelimin e PSZH për dënimin e futbollistit suedez.
Lojtari pritej të mungonte edhe në ndeshjen e parë mes dy skuadrave, që luhet javën e ardhshme në Paris, pjesë e dënimit të marrë për kartonin e kuq që iu dha në sfidën ndaj Valencias për goditjen ndaj Andres Guardado.
Vendimi i UEFA-s është për përgjysmimin e dënimit prej dy ndeshjesh dhe meqë ai e ka plotësuar një ndeshje pezullim në sfidën e kthimit në turin e mëparshëm kundër Valencias, do të jetë në gjendje që të zbresë në fushën kundër Barcelonës.
Klubi francez ka arritur të fitojë apelimin pasi ka argumentuar se në protokollin e ndeshjes ka një “gabim procedural”, pasi gjyqtari ka përshkruar se ka dhënë kartonin e kuq kur topi nuk ishte në lojë, ndërsa në fakt ka qenë e kundërta.
Kjo ka mjaftuar që suedezi të marrë dritën e gjelbër për të luajtur javën e ardhshme, duke i garantuar parisienëve më shumë forcë në sulm dhe duke i shtuar një shans tjetër për të synuar kualifikimin përballë katalanasve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 March 2013 17:17